Kalo te përmbajtja
TË GJITHA LAJMET
Ndeshje

Peja fiton në Minatori

Në një ndeshje me intensitet mjaft të lartë e cila u zhvillua mbrëmë në Mitrovicë, ishte skuadra e Pejës ajo që doli fitimtare. Ndeshja filloi me një dominim të lehtë të Trepçës në minutat e para të çerekut të parë, ku rezultati shënonte 12-4 në të mirë të skuadrës vendase, por pas një minuti pushim të kërkuar nga trajneri Kakiouzis, skuadra e Pejës ngadalë nisi të marrë kontrollin e ndeshjes, ku në fund të këtij çereku rezultati në tabelë shënonte 16-20 për verdhë e zinjtë. Çereku i dytë filloi me dominimin e Pejës ku pas disa minutash e ngritën epërsinë deri në +13 pikë, 16-29. Trepça pastaj arriti ta shkrijë epërsinë deri në -1 pikë, por që Robert Smith me dy trepikësha radhazi e ngriti epërsinë në +7 pikë. Pejanët e fituan edhe këtë çerek me 24-27, dhe me rezultat të përgjithshëm 40-47. Në çerekun e tretë u zhvillua lojë më e barabartë, ku të dy skuadrat patën më shumë kujdes në mbrojtje, e këtë e dëshmon rezultati i çerekut që përfundoi me barazim 16-16, ndërkaq rezultati i përgjithshëm në semafor shënonte 56-63. Ndërsa çereku vendimtar, ai i katërti, ishte çereku që e dramatizoi këtë ndeshje. Skuadra vendase arriti që epërsinë prej +10 pikëve të cilën Peja e arriti në fillimin e çerekut ta shkrinte në vetëm -3 pikë, mirëpo dypikëshi i kapitenit Arti Hajdari dhe trepikëshi vendimtar i Robert Smith me vetëm 35 sekonda të mbetura deri në fund, ia siguruan Pejës fitoren. Dy lojtarët më efikas për ekipin verdhë e zi ishin Robert Smith me 24 pikë si dhe Trevor Moore me 21 pikë. Të dy shënuan nga 5 trepikësha. Kontribut të jashtëzakonshëm në trapez dha Xavier Johnson i cili kishte plot 13 kërcime, ku 8 nga to erdhën në fazën e mbrojtjes ndërsa ai kontribuoi edhe me 12 pikë. Dwight Wilson shtoi 11 pikë dhe i pati 9 kërcime, 6 prej të cilave ishin në mbrojtje. Pikë dyshifrore pati edhe Jetmir Zeqiri i cili shënoi 10 pikë. Ndeshjen e radhës Peja e zhvillon në udhëtim te skuadra rumune, Dinamo Bucharest, ndeshje kjo e vlefshme për kualifikimet në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup. Ndërsa në fundjavë superliga rikthehet në Palestrën Karagaçi ku Peja përballet me skuadrën e Vëllaznimit.

KB Peja

Zyra për Media dhe Komunikim