Kalo te përmbajtja
Takimi në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për punimet në Palestrën “Karagaçi”
TË GJITHA LAJMET
Komunikatë

Komunikatë Zyrtare — Nisin punimet në Palestrën “Karagaçi”

KB Peja informon opinionin publik se sot është mbajtur një takim i rëndësishëm në zyrat e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, lidhur me fillimin dhe organizimin e punimeve në Palestrën e Sporteve “Karagaçi”.

Në takim morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në krye me Sekretarin e MKRS-së, z. Lendrit Iljazi, operatori përgjegjës për realizimin e punimeve, z. Tahir Sopa, si dhe inxhinierët përgjegjës të projektit.

Në emër të KB Peja, në takim morën pjesë Presidenti i klubit, z. Fatmir Gashi, dhe Drejtori i Përgjithshëm, z. Arber Elshani.

Gjatë takimit u diskutua në mënyrë të detajuar për rëndësinë jetike që ka Palestra “Karagaçi” për funksionimin e KB Peja, zhvillimin e përditshëm të stërvitjeve dhe organizimin e ndeshjeve zyrtare. Një vëmendje e veçantë iu kushtua angazhimeve ndërkombëtare të klubit në FIBA Europe Cup, si dhe nevojës që punimet të organizohen në atë mënyrë që të mos pengohet zhvillimi normal i aktiviteteve sportive të klubit.

Pas diskutimeve dhe koordinimit ndërmjet të gjitha palëve, përfaqësuesit e MKRS-së, operatori i punimeve dhe drejtuesit e KB Peja u pajtuan që punimet në Palestrën “Karagaçi” të nisin menjëherë, por të realizohen fillimisht në mënyrë të pjesshme dhe të koordinuar.

Në fazën e parë, punimet do të fokusohen në hapësirat ndihmëse të palestrës, përfshirë zhveshtoret, banjot dhe korridoret, duke i mundësuar KB Peja që të vazhdojë normalisht me procesin stërvitor dhe zhvillimin e ndeshjeve zyrtare.

Pas përfundimit të angazhimeve të KB Peja në garat ndërkombëtare të FIBA Europe Cup, punimet do të zgjerohen edhe në pjesën e brendshme të palestrës. Kjo fazë do të përfshijë ndërhyrje në instalimet elektrike, vendosjen e koshave të rinj, punimet në parket, gërryerjen dhe lyerjen e tij, si dhe instalimin e ndriçimit të ri LED.

Në këtë mënyrë, është arritur një zgjidhje që u mundëson të dyja palëve të vazhdojnë aktivitetet e tyre pa penguar njëra-tjetrën. Deri në fund të muajit nëntor, punimet do të zhvillohen në mënyrë të tillë që KB Peja të mund të përmbushë obligimet e saj sportive. Më pas, kompania do të ketë mundësi të zhvendosë aktivitetin e saj edhe brenda palestrës, ku klubi do të krijojë hapësirën e nevojshme për realizimin e punimeve të mbetura.

Gjithashtu, gjatë muajit dhjetor, periudha e pushimit të sezonit do të shfrytëzohet maksimalisht për avancimin dhe përfundimin e punimeve, duke bërë të mundur që të gjitha palët të koordinohen në mënyrën më të mirë të mundshme.

Objektivi i përbashkët është që me fillimin e kampionatit pranveror, në janar të vitit 2027, të gjitha punimet e parapara të jenë të përfunduara dhe Palestra e Sporteve “Karagaçi” të jetë e gatshme për të ofruar kushte më të mira për KB Peja, sportistët dhe tifozët tanë.

KB Peja shpreh mirënjohjen dhe falënderimet e sinqerta për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përfaqësuesit e saj, operatorin e punimeve dhe të gjithë personat e përfshirë, për mirëkuptimin dhe gatishmërinë për të gjetur një zgjidhje të përbashkët në interes të sportit dhe të funksionimit normal të klubit tonë.

Jemi shumë mirënjohës për bashkëpunimin dhe besojmë se përmes këtij koordinimi do të arrijmë që, njëkohësisht, të vazhdojmë rrugëtimin tonë sportiv dhe të realizojmë investimet e nevojshme për një Palestrën “Karagaçi” më moderne dhe me kushte më të mira për të ardhmen.

KB Peja

Zyra për Media dhe Komunikim